Vizitë në Infrastrukturën e Hekurudhave të Kosovës - Infrakos

 Sot, bashkë me Zëvendësministrin e Ministrisë së Ekonomisë, z.Mentor Arifaj, vizituam Infrastrukturën e Hekurudhave të Kosovës - Infrakos, ku më pas dolëm në terren për të parë nga afër rrjedhshmërinë e punëve lidhur me realizimin e projektit të Rehabilitimit Gjeneral dhe Modernizimit të Fazës së parë të Linjës së 10-të Hekurudhore (Fushë Kosovë – Hani i Elezit – Kufiri me Maqedoninë e Veriut).


Bashkë me stafin menaxhues të Infrakos-it, fillimisht bëmë vizitë në Fushëkosovë, ku pamë ecurinë e deritanishme të punëve në fazën e parë të Linjës së 10-të Hekurudhore, me ç’rast u informua nga menaxhmenti mbi ecurinë e projektit, problemet ekzistuese dhe pritjet për përfundimin e projektit. 


Më pastaj, vizituam stacionin Hekurudhor të Miradisë (2.7 km në jug të Fushë Kosovës), Stacionin Hekurudhor të Ferizajt (32.637 km nga stacioni i Fushë Kosovës), Stacionin Hekurudhor të Gurzës (40.636 km nga stacioni i Fushë Kosovës), si dhe tunelin e 7-të, i cili ndodhet në km 58.64 nga Stacioni Hekurudhor i Fushë Kosovës, apo 3.95 km nga Stacioni Hekurudhor i Hanit të Elezit, ku u njoftova në hollësi për detajet e realizimit të projektit si dhe problemet të cilat hasen gjatë implementimit. 


Gjatë vizitës kërkova nga palët që punimet të përfundojnë brenda afateve ashtu që mos të ketë vonesa të paarsyeshme, si dhe ritheksova edhe njëherë se jemi në një rrugë shumë të mirë të integrimit të linjave hekurudhore, pasi që janë pikë e rëndësishme strategjike për transportin e mallrave dhe krijimin e lidhjeve më të qëndrueshme të transportit në rajon.

Foto Galeria

Video Galeria