U mbajt takimi i radhës i Këshillit për siguri në Komunikacionin Rrugor

Sot në Prishtinë u mbajt takimi i tretë i Këshillit për Siguri në Komunikacionin Rrugor, të cilën e drejtoi ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, kryesues i Këshillit.

Në takimin e sotëm, në të cilin morën pjesë Ramadan Avdiu, zëvendësministër i Financave, Izmi Zeka, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Ragip Gashi, këshilltar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, kapiten Jeton Rexhepi, Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së infrastrukturës, u debatua rreth gjendjes së sigurisë rrugore në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, duke e krahasuar atë me gjendjen në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, si dhe rreth Strategjisë për Siguri në Komunikacionin Rrugor dhe Plani i Veprimit.

Në hyrje të pikës për gjendjen e sigurisë rrugore në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota tha se në gjashtë muajt e parë të vitit 2012 në vendin tonë është shënuar një rritje e numrit të përgjithshëm të aksidenteve  për 5.9%, numri i aksidenteve me lëndime është zvogëluar për – 4.9%, ndërsa numri i aksidenteve vetëm me dëme materiale është rritur për + 8.7%. Për fat të mirë, tha ministri Mujota, numri i aksidenteve me fatalitet në periudhën janar-qershor të vitit 2012 është më i vogël se në periudhën e njëjtë të vitit 2011 për -10.4%, ndërsa numri i të lënduarve është më i vogël për – 5.4%.

 

Në periudhën janar-qershor të vitit 2012 numri i numri i aksidenteve me fatalitet te këmbësorët është zvogëluar për - 26.3% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2011, ndërsa për 6.6% është zvogëluar edhe numri i këmbësorëve të lënduar. Mirëpo, theksoi ministri Mujota, përqindja e aksidenteve me fatalitet te këmbësorët mbetet ende shumë i lartë në raport me vendet evropiane, ku këmbësorët përbëjnë më pak se 20% të numrit të përgjithshëm të të vdekurve në aksidente të komunikacionit. Gjithashtu edhe numri i pasagjerëve të vdekur mbetet shumë i lartë në krahasim me vendet evropiane.

Pas diskutimit, raporti për gjendjen e sigurisë rrugore në gjashtëmujorin e parë të këtij viti u miratua njëzëri.

Në kuadër të pikës së dytë, ministri Fehmi Mujota prezentoi Strategjinë për Siguri në Komunikacionin Rrugor dhe Planin e Veprimit, duke i shpjeguar orientimet themelore dhe objektivat e kësaj strategjie dhe të planit të veprimit. Ai tha se për Kosovën siguria rrugore është një çështje e rëndësishme. Gjendja me aksidentet rrugore nga aspekti i numrit të personave të vdekur është aktualisht shumë më i përafërt me standardet e Bashkimit Evropian se sa me shtetet e tjera në transicion. Dy dallimet kryesore me shtetet e Evropës Perëndimore janë se në dekadën e fundit Kosova ka pasur rritje të konsiderueshme të numrit të vdekjeve në komunikacion dhe numër shumë të lartë të këmbësorëve të vdekur në aksidente rrugore, të cilët përfaqësojnë shumicën e pjesëmarrësve të rrezikuar në rrugë. Gjithashtu, numri i fëmijëve dhe të rinjve që kanë pësuar në aksidente rrugore është mbi mesataren e shteteve evropiane, andaj qëllim I strategjisë dhe I planit të veprimit është zvogëlimi efikas i këtyre shifrave, përkatësisht i numrit të  aksidenteve në komunikacionin rrugor.

Sa u përket objektivave, ai tha se realizimi i tyre kërkon një listë të masave konkrete të zgjedhura me kujdes për zbatim. Një plan veprimi i këtillë është edhe pjesë e strategjisë dhe përfshihet në këtë program.

Njëkohësisht, Mujota tha se është e nevojshme që në jetësimin e kësaj strategjie duhet të angazhohen të gjitha institucione e përfshira në këtë strategji. Rreth kësaj u zhvillua një diskutim, në të cilin morën pjesë të gjithë anëtarët e Këshillit, të cilën dhanë sugjerimet për plotësimet që duhet t’u bëhen këtyre dokumenteve, në mënyrë që ato të zbatohen me efikasitet dhe efektivitet të plotë.

Strategjia për Siguri në Komunikacionin Rrugor dhe Plani i Veprimit, me plotësimet e sugjeruara, u miratuan njëzërit dhe si të tilla ato do t’i dërgohen Qeverisë së Kosovës për miratim.

Foto Galeria

Video Galeria