U mbajt takimi i radhës i Këshillit Ndërministror për Siguri në Komunikacionin Rrugor

Në takimin e mbajtur sot morën pjesë: ministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota, Daut Xhemajli, zëvendësministër i Drejtësisë, Naim Fetahu, zv.ministër i Financave, Nehat Mustafa, zv.ministër i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Izmi Zeka zv.ministër i Punëve të Brendshme, Sheremet Ahmeti nga Policia e Kosovës, Jakup Hoti, udhëheqës i Sekretariatit për Siguri në Komunikacionin Rrugor në Ministrinë e Infrastrukturës, përfaqësues të OSBE-së, përfaqësues të Zyrës Ligjore amerikane dhe drejtorët e departmenteve të Ministrisë së Infrastrukturës.

Në takimin e këtij këshilli u diskutua rreth punës që është bërë nga mbajtja e takimit të kaluar, pastaj për strategjinë për sigurinë në komunikacion për periudhën 2014-2020, për planin e veprimit me koston e rishikuar, si dhe për numrin e aksidenteve në komunikacionin rrugor për përiudhën janar-nëntor 2013. Si temë, e cila u diskutua në takimin e këtij këshilli, ishte edhe ajo për masat e sigurisë në komunikacionin rrugor për vitin 2014.

Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, e vlerësoi të rëndësishëm punën e këtij këshilli, si dhe miratimin e strategjisë. por edhe marrjen e përgjegjësisë për secilin sektor veç e veç në kuadër të institucioneve përkatëse të vendit tonë.

Ministri Mujota gjithashtu tha: “Jemi mbledhur sot për të diskutuar gjendjen aktuale të sigurisë në komunikacionin rrugor në Republikën e Kosovës dhe raportin e aksidenteve për njëmbëdhjetëmujorin e vitit 2013. Siguria në komunikacionin rrugor është një kompleks i çështjeve ndërdisiplinore, në të cilën shkaktarë të ndryshëm luajnë një rol të rëndësishëm në çdo aktivitet.

Zhvillimi i hovshëm i rrugëve, si dhe zhvillimi i industrisë së automjeteve e ka pasuruar dhe lehtësuar mirëqenien sociale të njerëzve për arritjen e shpejtë të lidhjes ndërmjet tyre si në aspektin ekonomik, ashtu edhe atë social. Me gjithë këto avantazhe që ka sjellë, zhvillimi i komunikacionit rrugor ka sjellë edhe mjaft probleme të tjera, siç janë aksidentet në komunikacionin rrugor dhe ndotja e ambientit”.

Në takimin e këtij Këshilli njëzëri u miratua Strategjia për siguri në komunikacionin rrugor 2014-2020. Ndërsa sa i përket planit të veprimit për siguri në komunikacionin rrugor, u tha se ky plan përbëhet nga 12 fusha prioritare, të cilat përmbajnë në përgjithësi 130 masa konkrete të sigurisë rrugore.

Fushat prioritare të Strategjisë për Siguri në Komunikacion dhe Planit të Veprimit janë: edukimi dhe fushatat për komunikacionin, edukimi, trajnimi dhe licencimi për shoferë, zbatueshmëria, fëmijët dhe të rinjtë pjesëmarrës në komunikacionin rrugor, pjesëmarrësit e moshuar në komunikacionin rrugor, këmbësorët, biçikletat, mopedët dhe çiklomotorët, kamionët dhe autobusët, vendkalimet në të njëjtin nivel me hekurudhën, kujdesi pas aksidentit, infrastruktura, siguria e automjetit etj.

Ndërsa, lidhur me numrin e aksidenteve të shkaktuara gjatë këtij viti, në këtë takim u tha se ka pasur rritje të numrit të aksidenteve krahasuar me periudhën e njëtë të vitit 2012.

Aksidentet fatale për periudhën janar-nëntor 2013, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, sipas raportit janar-nëntor 2013, i cili u prezantua në këtë takim, ka pasur rënie të këtyre aksidenteve për 14.02 për qind, ndërsa numri i personave që kanë humbur jetën në këtë periudhë të këtij viti u tha se është më i vogël për 3.64 për qind.

Ndërkohë, numri i personave të lënduar për këtë vit thuhet se është në rritje për 13.82 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Foto Galeria

Video Galeria