Sot u mbajt Këshilli Ministror i Traktatit të Transportit
Organizuar nga Sekretariati i Përhershëm i Komunitetit të Transportit, dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në kuadër të procesit të modernizimit të transportit në gjashtë (6) vendet e Ballkanit Perëndimor, bashkë me ministrat e transportit nga shtetet fqinje, diskutuam progresin që është bërë në rrugë e hekurudha, lehtësimin e transportit, korridoret dhe lidhjen e shteteve të Ballkanit Perëndimor, dhe krijimin e kushteve më të mira të transportit. Ishte takim i frytshëm që tregoi se është bërë shumë progres, e po ashtu tregoi sfidat e shumta që paraqiten para nesh.
Gjatë takimit prezantova nismat e ndërmarra për zhvillimin e sektorit të transportit, si dhe bashkëpunimin e ndërsjellë në mes të gjashtë (6) vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjithmonë në funksion të forcimit të marrëdhënieve tona fqinjësore. Transporti dhe krijimi i lidhjeve më të sigurta janë vendimtare për rritjen ekonomike dhe miqësinë tonë, në kuadër të proceseve të integrimit drejt një ekonomie zhvillimore, të cilën mund të përfitojmë nga bashkëpunimi i ndërsjellë. Takimet bilaterale e bashkëpunimet rajonale mbështeten në fakte dhe projekte konkrete, projekte të përbashkëta që do të sjellin përmirësimin e transportit në mes të gjashtë (6) vendeve të Ballkanit Perëndimor. Është thelbësore që qeveritë tona të forcojnë lidhjet ekonomike në të gjithë Rajonin, të investojnë dhe përmirësojnë infrastrukturën rrugore e hekurudhore, kështu duke arritur që të krijojmë lidhje të drejtpërdrejta dhe më të sigurta, e për më shumë të vazhdojmë të ndërtojmë kapacitetet njerëzore. Qëllimi i takimit të sotëm ishte avancimi i agjendës së politikave rajonale, evropiane dhe globale të transportit, si dhe sigurimi që kjo agjendë të vazhdojë të kontribuojë në një zhvillim më të sigurt, efikas, ndërveprues, të digjitalizuar, të qëndrueshëm dhe të gjelbër të sistemeve multimodale të transportit në mes të gjashtë (6) vendeve të Ballkanit Perëndimor.