PJESËMARRJE AKTIVE E DELEGACIONIT TË KOSOVËS NË SAMITIN E VJENËS PËR BALLKANIN PERËNDIMOR

Prishtinë, 27 gusht 2015

Sot përfundon Samiti i Vjenës, i cili paraqet vazhdimësi të takimit të Berlinit dhe synon të zhvillojë edhe më shumë bashkëpunimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për zgjidhjen e sfidave të përbashkëta, siç janë migrimet, bashkëpunimi rajonal, infrastruktura etj. dhe i cili i shërben afrimit të mëtutjeshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

Delegacioni i Kosovës në konferencën e Vjenës, që nga dita e djeshme ka zhvilluar aktivitete intensive në disa plane. Një nga aktivitetet e rëndësishme është padyshim takimi i kryeministrit Isa Mustafa dhe ministrit të Infrastrukturës, Lutfi Zharku, me presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Suma Chakrabarti.

Gjatë këtij takimi, i cili u zhvillua para fillimit të Samitit të Ballkanit Perëndimor 2015, kryeministri Mustafa dhe ministri Zharku kanë biseduar me presidentin Chakrabarti për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it, duke vlerësuar kontributin e BERZH-it në shumë projekte të deritashme për Kosovën. Presidenti i BERZH-it Chakrabarti njëkohësisht u informua për progresin në Kosovë, si dhe për prioritetet e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës dhe për avancimin e gjithëmbarshëm të proceseve në Kosovë.

Kryeministri Isa Mustafa po ashtu theksoi rëndësinë që ka për Kosovën mbështetja e mëtejshme financiare nga ana e institucioneve ndërkombëtare financiare, duke veçuar rolin që BERZH-i mund të ketë në mbështetjen e projekteve konkrete, të cilat do të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës, kurse Chakrabarti, vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë në shumë aspekte, si dhe theksoi përkrahjen e mëtutjeshme për Kosovën dhe mbështetjen për realizimin e projekteve konkrete në Kosovë. Lidhur me këtë presidenti Suma Chakrabarti u informua për disa projekte të rëndësishme infrastrukturore, të cilat mund të përkrahen nga BERZH-i, duke përshirë linjën hekurudhore Hani i Elezit-Leshak, trafikun urban në Prishtinë, rrugën Kijevë-Zahaq, zgjerimin e hyrjeve në Gjilan, Ferizaj, Podujevë dhe Suharekë, mundësinë e përfshirjes në ndërtimin e pjesës së mbetur të autostradës nga Besia në Merdare, e cila nuk mbulohet nga donacioni i Komisionit Evropian, si dhe autostradën Lipjan-Gjilan.

Sot, në ditën përfundimtare, samiti i Vjenës do të vazhdojë me diskutimet për ndërtimin e autostradës Nish – Prishtinë – Durrës, kurse në panel do të jenë kryeministri shqiptar, Edi Rama, ai serb Vuçiq, komisioneri i Bankës Europiane të Investimeve, Hoyer, komisioneri Hahn dhe presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Suma Chakrabati.

Foto Galeria

Video Galeria