MIT investon 295 mijë euro në asfaltimin e rrugës “Gurët e Gjatë”
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit është duke realizuar projektin e asfaltimit të rrugës “Gurët e Gjatë”, e cila lidh fshatrat Sllatinë e Madhe dhe Harilaq në Komunën e Fushë Kosovës.
Projekti përfshin asfaltimin e segmentit rrugor me gjatësi prej 1.2 kilometra, me dy shtresa asfalti dhe trashësi totale prej 12 centimetra, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës rrugore, rritjes së sigurisë në trafik dhe lehtësimit të qarkullimit për banorët e zonës.
Vlera e projektit është 295,000 euro dhe financohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit të nënshkruar me Komunën e Fushë Kosovës.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve infrastrukturore që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik lokal, përmirësimin e lidhjeve ndërmjet vendbanimeve dhe rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët.

















