Ministria e Infrastrukturës mbështet me 1 milion euro projektin për rrugën Sllovi - Malësi e Zhegovcit

 

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, vizitoi Komunën e Lipjanit, ku u takua me kryetarin e kësaj komune, Imri Ahmeti dhe kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri.

 

Me këtë rast, ministri Zharku dhe kryetarët Ahmeti dhe Haziri nënshkruan një Marrëveshje Bashkëpunimi për financimin e projektit të asfaltimit të rrugës Sllovi-Gjilan, me gjatësi mbi 8 kilometra dhe në vlerë rreth 1 milion euro.

 

Ministri Zharku theksoi se do të vazhdohet më tej me investime në përmirësimin e infrastrukturës së këtij rajoni.

" Ministria e Infrastrukturës do të mbështesë iniciativën e kryetarëve Ahmeti dhe Haziri, në mënyrë që në vitin 2017 të fillojmë me realizimin e këtij projekti madhor ", ka thënë ministri Zharku.

 

Ndërsa, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, është shprehur i lumtur që kjo rrugë shumë e rëndësishme do të mbështetet nga ministri Zharku.

" Kjo rrugë e lidh Malësinë e Zhegovcit me Sllovinë e Lipjanit, që është edhe korridori kryesor i juglindjes së Kosovës. Kjo rrugë, përveç banorëve të Gjilanit, do të shfrytëzohet edhe nga banorët e Kamenicës dhe të Bujanovcit për të komunikuar më lehtë me Lipjanin dhe Prishtinën. Investimi në këtë rrugë do të krijojë lehtësira në shpenzimin e kohës dhe shpenzimet tjera ", ka theksuar kryetari Haziri.

 

Kryetari Ahmeti ka falënderuar ministrin Zharku dhe kryetarin Haziri për përkrahjen e idesë së përbashkët për të bërë këto investime në Lipjan. Kjo ide do të krijojë mundësi të reja të komunikimit në mes banorëve të komunës së Lipjanit dhe Gjilanit nëpërmjet Sllovisë, duke e lidhur me Malësinë e Zhegovcit.

" E rëndësishme është që ky projekt jetik për banorët e këtyre dy komunave ka marrë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës dhe ministrit Zharku dhe do të fillojë të realizohet vitin e ardhshëm ", është shprehur Ahmeti.

 

Ministria e Infrastrukturës do të investojë edhe projekte të tjera kapitale në këtë komunë, të cilat do të fillojnë shumë shpejt të implementohen, siç janë: rruga “Lipjan- Magurë”, rruga Sllovi- Smallushë-Gadime dhe disa projekte të tjera: disa rrethrrotullime në Lipjan dhe një arterie e re që lidhë qytetin e Lipjanit me magjistralen Prishtinë – Hani i Elezit, që do të fillojë së realizuari në fillim të vitit 2017. ​ 

Foto Galeria

Video Galeria