Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit organizon aktivitet humanitar

Prishtinë, 21 janar 2019


Përveç  fushëveprimtarisë institucionale që ka, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, përkatësisht zyrtarët që punojnë në MIT, kanë menduar që, në këto ditë të ftohta dimri, të angazhohen në mbledhjen e veshmbathjeve, materialeve ushqimore dhe higjienike, të cilat do t’i dërgojnë tek familjet që jetojnë në kushte të vështira.


Ky aktivitet humanitar, i ndërmarrë me iniciativë të Kabinetit të Ministrit, do të zhvillohet gjatë 10 ditëve në vijim, me ç’rast një ekip i tërë është i angazhuar që të merret me mbledhjen, paketimin, klasifikimin dhe shpërndarjen. Pjesëmarrja në këtë aktivitet është e hapur për të gjithë punonjësit e MIT-së, por edhe për publikun e gjerë, të cilët janë të mirëseardhur të kontribuojnë brenda mundësive të tyre. Pakot e mësipërme mund t’i sillni çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në ora 09:00 në ambientet e Ministrisë.


Përtej punës profesionale për të cilën jemi të thirrur, ne jemi qenie njerëzore dhe si të tilla duhet të mendojmë dhe veprojmë. Andaj kjo nismë është edhe një mesazh pozitiv që të angazhohemi bashkërisht t’i ndihmojmë bashkëqytetarët tanë me aq sa kemi mundësi, që edhe ata të jetojnë më mirë.

Foto Galeria

Video Galeria