Ministri Zharku përuroi tri rrugë në komunën e Gjakovës


Prishtinë, 2 nëntor 2016

Sot, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku me bashkëpunëtorë, së bashku me kryetaren e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, dy zëvendësministriat Hanefi Muharremi dhe Fehmi Mujota, si dhe kryesuesin e asamblesë komunale të Gjakovës, Luan Gola, inauguroi fillimin e punimeve në dy projekte infrastrukturore: asfaltimin e rrugës Dol-Kusar-Goden (faza e dytë) dhe ndërtimin e rrugës së Bishtazhinit në komunën e Gjakovës.
Po ashtu, ministri Zharku përuroi përfundimin e punimeve të projektit të ndërtimit dhe asfaltimit të rrugës në fshatin Demjan 3 (lagjja Shehu).

Ministri Zharku uroi banorët e këtyre fshatrave për ndërtimin e rrugëve dhe premtoi se edhe në vitet e ardhshme do të vazhdohet në përmirësimin e infrastrukturës në komunën e Gjakovës.
“Jemi sot në Gjakovë së bashku me kryetaren, kryesuesin e Kuvendit dhe dy zëvendësministrat, ku  inauguruam dy projekte: asfaltimin e rrugës Dol-Kusar-Goden (faza e dytë) dhe ndërtimin e rrugës së Bishtazhinit, po ashtu së bashku përuruam përfundimin e punimeve të projektit të ndërtimit dhe asfaltimit të rrugës në fshatin Demjan 3 (lagjja Shehu). Ne do të vazhdojmë të investojmë edhe projekte të tjera në Gjakovë, të cilat në total kapin vlerën rreth 2,5 milionë euro. Ne po përmbushim premtimet edhe të kryeministrit Mustafa për ngritjen e infrastrukturës në këtë anë. Do të vazhdojmë edhe me projekte të tjera”, tha ministri Zharku.

Ndërsa kryetarja Kusari-Lila falënderoi ministrin Zharku për investimet e bëra nga Ministria e Infrasrukturës në këtë komunë dhe uroi banorët për rrugët e reja.
“Jam shumë e lumtur që sot po përurojmë këto projekte të financuara nga Ministria e Infrastukturës. Këto rrugë janë të një rëndësie të veҫantë sepse po mundësojnë zhvillimin e përgjithshëm të komunës sonë deri në zonat kufitare me Shqipërinë”, tha kryetarja Kusari-Lila.

Asfaltimi i rrugës Dol-Kusar-Goden (faza e dytë) ka vlerën prej 799,650.04 eurosh,  gjatësi prej 11.09 kilometrash dhe gjerësi 6 metra. Ndërtimi i rrugës së Bishtazhinit kap vlerën prej 106,998.99 eurosh, ka gjatësi prej 1.04 kilometrash dhe gjerësi prej 5 metrash, kurse ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës në fshatin Demjan 3 (lagjja Shehu) ka  kushtuar 148,730.39 euro, ka gjatësi prej 1.9 kilometrash dhe gjerësi prej 5.5 metrash.

Të tri projektet janë investuar nga Ministria e Infrastukturës.

Foto Galeria

Video Galeria