Ministri Zharku mori pjesë në konferencën për Zhvillimin e Sektorit Privat “Ditët e Biznesit të Vogël 2016”

Prishtinë, 19 shtator 2016


Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Lufti Zharku, mori pjesë në konferencën informuese për Zhvillimin e Sektorit Privat “Ditët e Biznesit të Vogël 2016” në Ferizaj, e organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe KIESA.

Qëllimi i kësaj konference ishte përkrahja e sektorit privat drejt ndërkombëtarizimit. 

Me këtë rast, bizneset e rajonit të Ferizajt u informuan rreth shërbimeve që ofrojnë institucionet qeveritare në përkrahjen e vazhdueshme që e bëjnë për të zhvilluar ndërmarrësin dhe për të krijuar kushte më të mira për biznesin.

Në fjalën e tij, ministri Zharku, informoi të pranishmit lidhur me projektet që po realizohen nga MI-ja në përmirësimin e Infrastrukturës në komunën e Ferizajt dhe në nivel të vendit, si shtyllë e zhvillimit ekonomik. 

Po ashtu, ministri Zharku shpalosi vizionin e MI-së për të kontribuar në rritjen ekonomike përmes krijimit të një sistemi efikas të transportit, të një sistemi të  integruar të transportit rrugor, hekurudhor dhe ajror, me çmim të ulët dhe të sigurt  për mjedisin.

“Kosova synon të bëhet një vend tranzit për trafikun nga Evropa Juglindore që lidh korridoret kryesore dhe drejtimet rrugore rajonale”, theksoi ministri Zharku.

Investimi i madh në Infrastrukturë është konsideruar si një faktor kyç për zhvillimin e rrjetit të transportit, i cili do të menaxhohet në mënyrë efikase dhe në përputhje të plotë me normat dhe standardet ndërkombëtare.

Ministri Zharku ritheksoi përkushtimin e MI-së në realizimin e projekteve kapitale infrastrukturore përkundër sfidave dhe kufizimeve të shumta, siç janë: zgjerimi i rrugës nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë dhe N9 Prishtinë-Pejë dhe rrjeti i autostradave të Kosovës. 

Ndërsa në komunën e Ferizajt, Ministria e Infrastrukturës do të realizojë këto projekte:  asfaltimi i rrugëve, Babush-Tërrn-Luboc-Koshare-Slivovë, Mirash i  Ri-Cërnillë, Prelez i  Jerlive-Muhoc-Lloshkobare, unaza e jashtme e Ferizajt (Prelez i Jerlive, Kosinë, Llojza – Dremjak – Nerodime), ndërtimi i nënkalimit për automjete (tek hekurudha) në fshatin Varosh, zgjerimi i rrugës Komogllavë-Terstenik-përmes lagjes Qarkosh (Ferizaj-Viti) si dhe asfaltimi i rrugës Greme – Burrnik – Gaqkë (Ferizaj-Shtërpcë).

Kompetencë e MI-së janë gjithsejt 1,925.1 km rrugë, prej tyre 630.4 km rrugë nacionale dhe 1,294.7 km rrugë regjionale. 

 

Foto Galeria

Video Galeria