Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, përuroi tri projekte të përfunduara të infrastrukturës rrugore në komunën e Istogut dhe vizitoi disa projekte, që janë në vazhdim e sipër

Sot ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota me bashkëpunëtorë vizitoi komunën 

e Istogut, me ç’rast përuroi disa projekte të përfunduara të infrastrukturës rrugore, 

si dhe vizitoi disa projekte të tjera, realizimi i të cilave është në vazhdim e sipër. 

Në këto aktivitete ministrin Mujota e shoqëroi kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova dhe zyrtarë të tjerë komunalë.

Fillimisht ministri Fehmi Mujota dhe kryetari i Komunës, Haki Shatri, përuruan rrugën Prekallë-Tërbuhoc, me gjatësi prej 6.4 kilometrash dhe me gjerësi prej 5 metrash, rikonstruktimin e së cilës e ka financuar Ministria e Infrastrukturës, vlera kontraktuese e së cilës ka qenë 874.468 euro dhe rrugën Tomoc-Kovragë, po ashtu investim i Ministrisë së Infrastrukturës, me gjatësi 10 kilometra dhe gjerësi 5 metra, ndërtimi i së cilës ka kushtuar 971.125 euro. Projekti i tretë i përfunduar, që u përurua sot, ishte rruga Syne-Mojstir, që ka një gjatësi prej 4.66 kilometrash dhe gjerësi prej 5 metrash, vlera kontraktuese e së cilës ka qenë 487.876 euro, mjete këto nga të cilat 85.57%, ose 417.477 euro i ka siguruar Ministria e Infrastrukturës, ndërsa 14.43%, ose 70.400 euro i ka siguruar Komuna e Istogut.

Në fjalën përuruese, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, pasi falënderoi Komunën e Istogut dhe kryetarin e saj për bashkëpunim të shkëlqyer, tha se Ministria e Infrastrukturës, në dy vitet e fundit ka investuar në ndërtimin e mëse 30 kilometrave rrugë në komunën e Istogut dhe se ndërtimi i tyre paraqet një zgjidhje të mirë për banorët e të gjitha fshatrave të kësaj komune, për lehtësimin e jetës së tyre, por edhe për avancimin e bizneseve, për të cilat ndërtimi i infrastrukturës rrugore ka krijuar shumë lehtësira.

Pas kësaj ministri Mujota tha se Ministria e Infrastrukturës do të vazhdojë edhe më tutje me investime në komunën e Istogut. Ai tha se tashmë është në përgatitje edhe projekti me vlerë prej 1 milion eurosh i rrugës Osojan-Rakosh, me të cilin investimet e dy viteve të fundit të Ministrisë së Infrastrukturës do të rrumbullakësohen në 5 milion e 200 mijë euro.

Në fund të fjalës së tij Fehmi Mujota tha se aty ku bashkëpunojnë nivelet qendrore dhe nivelet lokale, sukseset janë të garantuara.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, falënderoi ministrin Mujota për bashkëpunim, duke vlerësuar se bashkëpunimi në mes nivelit lokal dhe qendror ka qenë i shkëlqyeshëm.

Pas përurimit të këtyre projekteve të përfunduara, ministri Mujota vizitoi edhe dy projekte, që janë në vazhdim e sipër: asfaltimin e rrugës në fshatin Llukavc dhe urën në fshatin Zallç.

Zyra për Informim Publik e MI

Foto Galeria

Video Galeria