Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, përuroi rrugën në fshatin Dubravë të Kaçanikut

Sot ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, së bashku me kryetarin e Kuvendit Komunal të Kaçanikut, Besim Ilazi, përuroi rrugën e asfaltuar në fshatin Dubravë të Kaçanikut. Përurimi u mbajt në shenjë të shënimit të 10 gushtit, ditës së kujtimit të dëshmorëve të kësaj ane, për të cilën ministri Mujota në fjalën përurese tha se paraqet një ditë të shenjtë, e cila jo vetëm për banorët e Kaçanikut, por edhe për ata të mbarë vendit, shënon ditën e kthimit të dinjitetit kombëtar dhe të lirisë së Kosovës.

- Rruga të cilën po e përurojmë është rrugë e cila në tërësi i plotëson standardet e parapara. Ajo është një rrugë që kaherë është dëshiruar dhe është kërkuar nga banorët e kësaj ane, ndërsa projekti i saj u përmbyll me sukses në saje të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm të Komunës së Kaçanikut, Ministrisë së Infrastrukturës, banorëve të këtushëm dhe kompanive që bënë një punë jashtëzakonisht të mirë, - tha ministri Fehmi Mujota në fjalën përuruese.

Në vazhdim ministri Mujota tha se investimi prej 700 mijë eurosh nga Ministria e Infrastrukturës, me përkrahjen edhe të Komunës, është investim i cili e përmirëson cilësinë e jetës në Dubravë dhe se ai nuk do të jetë investimi i fundit:

- Do të vazhdojmë me investime edhe në të ardhmen, sipas planeve që ka hartuar 

Komuna e Kaçanikut dhe sipas programit, të cilin Ministria e Infrastrukturës do ta zbatojë plotësisht edhe në periudhën e ardhshme, - tha Mujota. – Kaçanikun po e bëjmë shumë të afërt me pjesët e tjera të vendit përmes rrugëve që po ndërtohen nëpër fshatra, por edhe përmes rrugës nacionale, e cila tashmë ka filluar së ndërtuari: autostrada Prishtinë – Hani i Elezit është jashtëzakonisht domethënëse për Kaçanikun, por edhe për gjithë Kosovën, - deklaroi ministri Fehmi Mujota, i cili në fund i përgëzoi banorët e Dubravës për rrugën e re, duke falënderuar në mënyrë të veçantë dëshmorët dhe heronjtë, si dhe familjarët e tyre, që i mundësuan popullit të Kosovës realizimin e objektivave madhore shtetërore e kombëtare.

Në fund të ceremonisë përuruese, qytetarëve që morën pjesë në solemnitetin e sotëm në fshatin Dubravë iu drejtua edhe kryetari i Kuvendit Komunal të Kaçanikut, Besim Ilazi, i cili pasi foli për rëndësinë e rrugës së re dhe për projektet e ardhshme infrastrukturore, shprehu fjalë falënderimi për Ministrinë e Infrastrukturës për përkrahjen dhe ndihmën e vazhdueshme për zhvillimin e infrastrukturës rrugore në këtë komunë.

Foto Galeria

Video Galeria