Ministri Abrashi ka nënshkruar memorandum për gjelbërimin e rrugëve të Kosovës

Prishtinë, 4 nëntor 2020


Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Organizatën Joqeveritare “Ta Pastrojmë Kosovën” dhe Komitetin Olimpik të Kosovës, për mbjelljen e fidanëve nëpër rrugët që janë përgjegjësi e Ministrisë.


Ky memorandum ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm dhe koordinimin e aktiviteteve mes të tria institucioneve, me qëllim të promovimit dhe avancimit në mbrojtjen e mjedisit dhe bashkëpunimit të mëtutjeshëm.


Ministri Abrashi tha se ky bashkëpunim ka për qëllim të ndikojë edhe në zvogëlimin e ndotjes, duke gjelbëruar rrugët e Kosovës.

“Po nisim për herë të parë gjelbërimin e rrugëve të Kosovës, e kjo do të ketë impakt edhe në uljen e ndotjes së ambientit. Gjithsesi që rrugët e Kosovës do të marrin pamje tjetër, duke u zbukuruar, por edhe duke ruajtur ambientin”, tha Abrashi.


Mes tjerash, marrëveshja parasheh organizimin e përbashkët të fushatave vetëdijesuese për mbajtje të mjedisit të pastër, në veçanti brezave rrugore të Republikës së Kosovës dhe aksionit për mbjelljen e drunjve në të gjitha rrugët rajonale dhe magjistrale, pjesë e fushatës kombëtare “T’i japim vendit ngjyra”.


Vetëm në fazën e parë, parashihet mbjellja e 3000 drunjve përgjatë autostradës “Ibrahim Rugova”.


Të tria institucionet do të mbajnë takime të rregullta koordinuese dhe të përbashkëta me institucione dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare e donatorë të projekteve mjedisore.

Foto Galeria

Video Galeria