Komunikacioni nëpër rrugët e Kosovës vazhdon të zhvillohet pa probleme

18 janar 2017


Reshjet e mbrëmshme të borës nuk shkaktuan probleme në zhvillimin e trafikut, meqë kompanitë e kontraktuara nga Ministria e Infrastrukturës, në bashkëpunim me menaxherët rajonalë dhe ekipet mbështetëse të MI-së, në vazhdimësi kanë monitoruar dhe kanë mirëmbajtur të gjitha rrugët nacionale dhe rajonale në vend.


Ky angazhim i ekipeve të MI-së ka mundësuar vazhdimin e zhvillimit të komunikacionit pa pegnesa.


Po ashtu, ka vazhduar bashkëpunimi me Policinë e Kosovës për të rritur sigurinë në komunikacion, si dhe me ekipet lokale nëpër komunat e Kosovës, për të mundësuar qarkullimin e papenguar të banorëve edhe në zonat e thella malore, ku sasia e borës është më e madhe.


Në kontinuitet po punohet edhe në rrugët rreth qendrave të turizmit dimëror, të cilat janë të vizituara më shumë nga qytetarët, si Brezovica, Prevalla etj., në mënyrë që të evitohen mundësitë e paraqitjes së vështirësive në rrugë.


Ministria e Infrastukturës i këshillon të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal gjatë udhëtimit, të jenë të kompletuar me pajisjet e nevojshme dimërore për udhëtim dhe të respektojnë ligjin.

 

Foto Galeria

Video Galeria