Investimet e Ministrisë së Infrastrukturës në Komunën e Rahovecit gjatë vitit 2015 / 2016

Banorë të rrugës, "Mustaf Ibishi", nuk do të përballen me baltën, gropat dhe pluhurin.


Kjo pasi Komunës së Rahovecit i ka ardhur në ndihmë Ministria e Infrastrukturës me mjete financiare për të mundësuar përfundimin e këtij projekti.


Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi ka falenderuar ministrin Zharku për gatishmërinë që të ndihmojë këtë komunë dhe banorës e lagjes për të kryer këtë projekt.


"Janë edhe disa rrugica në Krushë të Madhe dhe një është në fshatin Drenoc, të gjitha janë investuar nga Ministria e Infrastrukturës. E falenderoj ministrin, falenderoj punëkryesin dhe të gjithë ata që kanë ndihmuar në kryerjen e këtij projekti. Kjo është një lagje e re që ka filluar të ndërtohet. Këtu është mundësia që kjo rrugë të jetë edhe rrugë tranzite që lidh pjesën perëndimore të qytetit. Është kërkesë e e qytetarëve, bile edhe është një presion pozitiv që të vazhdojmë më tutje, ta kemi edhe pjesën tjetër të kryer sa më shpejtë, mirëpo ajo do të bëhet kur t'i sigurojmë mjetet", ka deklaruar kryetari Vehapi.


Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku ka deklaruar se janë edhe disa projekte që po realizohen në këtë komunë me mbështetje financiare të ministrisë.


"Përpos rrugëve regjionale dhe magjistrale, shumicën e komunave i përkrahim në projektet lokale të tyre. Sot jemi për t'i parë tri rrugë dhe për të biseduar me kryetarin edhe për disa projekte të reja siç është qarkorja e Rahovecit, në anën tjetër do të shiqojmë kërkesën e e kryetarit në lidhje me rrugën Rahovec-Suharekë apo lidhjen me autostradën, ngritjen e asaj rruge prej nivelit aktual në një kategori më të lartë do të vazhdojmë me përkrahje sikuse kemi bërë edhe tash", ka deklaruar ministri Zharku.


Kjo rrugë ka gjatësinë prej 650 metra dhe ka kushtuar 84,372.40 euro.


Dy projektet, në Drenoc dhe Krushë të Madhe që janë financim i Ministrisë së Infrastrukturës kapin vlerën e 72,914.41 euro.


Vlera e përgjithshme e investimeve të bëra nga Ministria e Infrastrukturës gjatë vitit të kaluar kap shifrën e 157,287.00 euro.


Edhe gjatë këtij viti ministria do të vazhdojë të investoj në këtë komunë sic po bënë edhe në komunat tjera të vendit.


Më 2016 do të përfundoj ndërtimi i udhëkryqit në fshatin Xërxë dhe Krushë e Madhe në vlerë prej 300 mijë eurosh.


Asfaltimi i rrugës qarkore në Rahovec në rrugën regjionale në vitet 2016, 2017, 2018 kap shifrën e 500 mijë eurosh.


Një projekt i rëndësishëm është edhe zgjerimi i rrugës Rahovec-Suharekë për të mundësuar lidhjen e kësaj komune me Autostradën "Ibrahim Rugova".


Për këtë projekt më 2016 do kap shifrën e 700 mijë eurosh, ndërsa më 2017 dhe 2018 do të investohen nga 200 mijë euro.

Foto Galeria

Video Galeria