Filloi punimet Konferenca e ofertuesëve për Partneritetin Publiko Privat për Aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës

Filloi punimet konferenca tre ditore e ofertuesëve për Partneritetin Publiko-Privat (PPP) për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP).

 

Në këtë konferencë Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në mes tjerash ka pohuar:” Ky aeroport nuk do të privatizohet por do të jepet me koncesion një operatori privat”.

 

Ndërsa, ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës, Fatmir Limaj ka thënë se mungesa e mjeteve të shtetit dhe nevoja për të ecur zhvillimeve të rajonit, ka bërë që Qeveria e Kosovës t’i drejtohet investimeve të sektorit privat.

 

Ministri Limaj, gjithashtu ka theksuar se Partneriteti Publiko-Privat është një modalitet i ri për Kosovës, por një formë e zakonshme nëpër botë:”Partnertiteti Publiko-Privat do të bëhet në bazë të një marrëveshje 20 vjeçare, për dizajnimin, ndërtimin, financimin, operimin dhe transferimin. Ofertuesi fitues do të investojë paratë e veta për të ndërtuar një ndërtesë të re terminali dhe hapsira të tjera të aeroportit”.

 

Limaj në këtë konferencë ka potencuar se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, është njëri nga aeroportet më të ngarkuar të Ballkanit, vetëm gjatë vitit të kaluar i ka shërbyer më shumë se 1.2 milionë udhëtarë.  

 

Ministri Limaj, kryesues i Komitetit Drejtues Ndërministror, ka folur edhe për marrjen e masave të jashtëzakonshme për të siguruar se punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës të jenë të mbrojtur, duke i garantuar atyre punësim për një periudhë te paracaktuar.

 

Komiteti Drejtues i Projektit zotohet plotësisht që do ta zbatojë këtë projekt përmes procedurave të drejta, konkurruese, dhe transparente, dhe do të këmbëngulim që gjithashtu dhe partneri privat ti përmbushi detyrimet e tij që rrjedhin nga Kontrata. Synimi jonë është që të kemi rezultate pozitive dhe të qëndrueshme për popullin e Kosovës.

 

Kjo konferencë mbahet në kuadër të fazës së dytë të prokurimit ndërkombëtar për operimin dhe zhvillimin e Aeroportit Ndërkombëtar dhe do të pasohet me dorëzimin e Kërkesës për Propozim nga ana e Ofertueseve ne mars te ketij viti.

 

Konferenca vazhdon punimet edhe nesër me vizitën e hollësishme premisave të ANP-së.

 

Foto Galeria

Video Galeria