Drejt një transparence më të madhe të procedurave të lejeve të MMPHI

Prishtinë,


19 nëntor 2021




Gjatë muajve të fundit Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës  ka arritë progres të rëndësishëm në përmirësimin e procedurave për lëshimin e lejeve ujore. Bazuar në analizën e thellë të gjendjes aktuale të sistemit të lejeve ujore, Ministria ka krijuar një sistem të posaçëm gjurmimi për aplikimet për leje  dhe ka punuar në përmirësimin e mekanizmave të koordinimit të brendshëm për dhënie më efikase të lejeve.


I gjithë ushtrimi përfshinte procedurat e hartëzimit dhe identifikimin e pengesave (si për aplikantët ashtu edhe për administratën), përditësimin e databazës së aplikimeve për leje dhe strategjinë e mbështetjes së ardhshme të ekspertëve për të përmirësuar cilësinë dhe efektivitetin e lejeve ujore. Procesi ka rezultuar në vizualizimin e procedurave dhe dokumenteve udhëzuese hap pas hapi që duhet t’ia lehtësojnë operatorëve plotësimin e kritereve për marrjen e lejeve të nevojshme.


Bazuar në rezultatet e deritanishme, MMPHI do të vazhdojë të përmirësojë sistemin duke angazhuar ekspertizën e nevojshme teknike, duke ofruar dokumente udhëzuese më specifike për operatorët se si të përmirësojnë më tej cilësinë e aplikacioneve, dhe rritjen e mëtejshme të kapacitetit të zbatimit të tyre.


E gjithë reforma është e motivuar nga kërkesat e operatorëve, si dhe nga synimi i Ministrisë për të përmirësuar transparencën e punës së saj, duke përfshirë edhe operacionet e lejuara në të gjithë vendin që kanë ndikim në resurset ujore.


Programi në vazhdim i Zvicrës dhe Qeverisë së Kosovës 'Menaxhimi i Integruar i Resurseve Ujore në Kosovë' ofron mbështetje teknike dhe financiare për përmirësimin e lejeve si një nga instrumentet kryesore për mbrojtjen dhe menaxhimin e resurseve ujore dhe mjedisit në përgjithësi. 

Foto Galeria

Video Galeria