Abrashi: Mbi 210 milionë euro investime në hekurudhë, Kosova po futet në hartën e investitorëve të huaj

Prishtinë, 11 janar 2021


Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, bashkë me drejtorin e Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjsek, Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Komisionit Evropian, Matthew Baldwin, shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe drejtorin e zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Neil Taylor, hapën sot një punëtori kushtuar Planeve të Veprimit të Komunitetit të Transportit.

Pas sesionit të hapjes në Prishtinë, palët e interesuara rajonale u përfshinë në diskutime online se si të fillohet implementimi i Planeve të Veprimit në Kosovë.


Ministri Abrashi deklaroi se Planet e Veprimit u miratuan nga të gjithë partnerët rajonalë në Këshillin Ministror në Tetor 2020. \"Për Republikën e Kosovës është shumë e rëndësishme që po kompletohet infrastruktura rrugore dhe hekurudhore, duke bërë kështu që vendi ynë të futet në hartën e investitorëve potencial duke kontribuar në zhvillimin ekonomik, por edhe qarkullimin e mallrave”, tha Abrashi.


Ndërsa Zakonjsek tha se katër Planet e Veprimit për Rrugën, Lehtësimin e Transportit, Hekurudhën dhe Sigurinë Rrugore janë një manual udhëzues për të gjitha hapat dhe piketat e rëndësishme për të arritur qëllime konkrete.

“Rrugë më të sigurta; koha e reduktuar e pritjes në pikat kufitare; hekurudhë e besueshme dhe moderne; dhe rrugët e së ardhmes me elementë të integruar jeshilë dhe dixhitalë. Gjatë vizitës zyrtare të sotme në Kosovë, ne gjithashtu do të bëjmë ndalesa në auto-udhët e Kosovës  për të nxjerrë në pah rëndësinë e kontrolleve anësore të rrugës për sigurinë e përgjithshme të trafikut dhe në hekurudha, ku hekurudha moderne po rindërtohet falë financimit të BE-së\", tha Zakonjsek.


Ai shtoi se Planet e Veprimit të Komunitetit të Transportit janë në përputhje me Planin Ekonomik dhe të Investimeve të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, i cili parashikon investime të BE-së në projektet e transportit dhe lidhjes që do të kontribuojnë në integrimin e mëtejshëm në rajon dhe lidhje më të mira me BE-në.


Gjatë kësaj punëtorë, u zhvillua edhe një vizitë në Hekurudhat e Kosovës, bashkë me kryeministrin, Avdullah Hoti, ku po zhvillohen punimet në modernizimin e hekurudhës 10, nga Hani i Elezit deri në Fushë-Kosovë, që është pjesa e parë e rehabilitimit.

Ky investim parasheh modernizimin e hekurudhës deri në Leshak të Mitrovicës, ku vlera e projektit kalon shifrën e 210 milionë eurove.


Ministri Abrashi tha se faza e dytë e rehabilitimin të hekurudhës fillon këtë vit dhe fazë e tretë deri në kufi me Serbinë.

“Investimet që po i bënë Qeveria e Kosovës po e  kthejmë Kosovën në udhëkryq të transportit të mallrave dhe njerëzve dhe në hartën e investimeve të huaja”, tha Abrashi.  

Foto Galeria

Video Galeria