Po përfundojnë punimet në segmentin Kërpimeh – Bajgorë – Mitrovicë të rrugës rajonale R129
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka vizituar nga afër punimet në segmentin Kërpimeh – Bajgorë – Mitrovicë të rrugës rajonale R129, ku projekti po i afrohet përfundimit.
Ky segment, me gjatësi prej 6.67 kilometrash dhe vlerë investimi prej 4.17 milionë euro, përmirëson ndjeshëm lidhjen rrugore ndërmjet Mitrovicës dhe Podujevës, duke ofruar qarkullim më të shpejtë, më të sigurt dhe më efikas për qytetarët dhe bizneset.
Për shumë vite kjo rrugë ishte në gjendje të rënduar, me dëmtime të shumta që vështirësonin qarkullimin. Sot, falë investimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës përmes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, segmenti është transformuar sipas standardeve moderne, me mure mbrojtëse, sinjalizim horizontal e vertikal dhe elemente që rrisin sigurinë rrugore.
Përfundimi i këtij projekti do të shkurtojë kohën e udhëtimit, do të përmirësojë ndërlidhjen ndërmjet Mitrovicës dhe Podujevës, si dhe do të krijojë kushte më të favorshme për zhvillimin ekonomik, turizmin dhe qarkullimin e mallrave.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit do të vazhdojë angazhimin për sigurimin e financimit të fazave të ardhshme, përfshirë rehabilitimin e tuneleve dhe përfundimin e segmentit të mbetur në hyrje të Mitrovicës, me synim kompletimin e të gjithë aksit sipas standardeve bashkëkohore.
Vazhdojmë investimet në infrastrukturë moderne që lidh qytetet, rrit sigurinë në komunikacion dhe mbështet zhvillimin e qëndrueshëm të Republikës së Kosovës
Kliko VIDEO










