Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, vizitoi sot punimet në fshatin Pleshinë në Ferizaj
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, vizitoi sot punimet në fshatin Pleshinë në Ferizaj, ku aktualisht po zhvillohet asfaltimi i segmentit nga fshati në drejtim të qytetit.
Punimet do të vazhdojnë në drejtim të qytetit sapo KRU “Bifurkacioni” ta vendosë gypin e ri të ujësjellësit, proces për të cilin ministri u njoftua se aktualisht ndodhet në fazën e prokurimit.
Për informim të drejtë të opinionit publik, projekti është hartuar nga Komuna e Ferizajt, e cila është edhe përgjegjëse për mbikëqyrjen e punimeve. Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit e financon projektin me 2 milionë euro, ndërsa Komuna e Ferizajt ka obligim të sigurojë rreth 900 mijë euro bashkëfinancim.
Sipas informatave të prezantuara gjatë vizitës, Komuna ende nuk i ka ndarë mjetet e nevojshme për përmbushjen e obligimeve të saj financiare.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit mbetet e përkushtuar në realizimin e obligimeve të saj dhe pret të njëjtin angazhim edhe nga Komuna e Ferizajt, në mënyrë që projekti të përfundojë sipas planifikimit.
Përfundimi i këtij projekti do t’u ofrojë banorëve të Pleshinës dhe të gjithë pjesëmarrësve në trafik një infrastrukturë më moderne, më të sigurt dhe me standarde më të larta.
Kliko VIDEO










