Hyn në fuqi Udhëzimi Administrativ për Certifikatën e Kompetencës Profesionale (CKP)
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton se nga sot ka hyrë në fuqi Udhëzimi Administrativ që mundëson zgjidhjen e çështjes së Certifikatës së Kompetencës Profesionale (CKP) për shoferët dhe operatorët e transportit ndërkombëtar të mallrave.
Me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi administrativ, zhbllokohet procesi i certifikimit të shoferëve fillestarë, duke krijuar bazën e nevojshme ligjore për pajisjen e tyre me certifikatat përkatëse.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit do të angazhohet maksimalisht që të gjithë aplikuesit të trajtohen në kohë dhe të pajisen sa më shpejt me Certifikatën e Kompetencës Profesionale.
MIT falënderon të gjithë shoferët dhe operatorët e transportit për durimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.










