Reagim ndaj shkrimeve të disa mediave për autostradën “Arbën Xhaferi”

Prishtinë, 4 shkurt 2019


Kontrata për realizimin e Projektit të autoudhës “Arbën Xhaferi” ka qenë e planifikuar të përfundonte në janar të vitit 2018. Duke parë se një gjë e tillë është e pamundur, për shkaqe të njohura tani për publikun, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit me 27 shtator 2017, kishte zgjatur kohën për përfundimin e këtij projekti deri më 31.12.2018, ndërsa shpenzimet për këtë zgjatje do të përcaktoheshin më vonë.


Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 5 qershor 2018 për akordimin e shumës prej 53,1 milionë euro, në emër të kontratës së datës 27 shtator 2017, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit me datë 5 shtator 2018, ka nënshkruar një aneks të kontratës për përcaktimin e afateve kohore të pagesës së kësaj shume, e cila pritet të paguhet në këste të barabarta deri me 1 qershor 2019.


Prandaj, nuk është i saktë konstatimi se MIT ka zgjatur kohën për përfundimin e punëve ndërtimore në projektin e autostradës “Arbën Xhaferi”, por vetëm afatin për pagesën e shumës së shpenzimeve për zgjatjen e kësaj kontrate. Këto dy çështje janë të ndara sipas kontratës dhe aneks kontratave të nënshkruara nga të dy palët.


MIT mbetet e përkushtuar në zbatimin e plotë të dispozitave kontraktuale dhe mirëpret përkushtimin e vazhdueshëm edhe të palës tjetër për zbatimin e kontratës.


Ditëve në vijim do të bëhen të ditura shkaqet për vonesën e përfundimit të këtij projekti dhe veprimet e mëtejme për vonesën.

Kërkojmë nga mediat dhe organizatat jo qeveritare të mos keq informojnë qytetarët dhe të interpretojnë dokumentacionet në mënyrë të saktë dhe të drejtë.

Foto Galeria

Video Galeria

KOSOVO IN UNESCO